Engjëll Berisha Akademik

Biografia

Ka lindur në Prizren më 1934, ku i mbaroi shkollën fillore, progjimnazin dhe Shkollën e Mesme të Muzikës (1953). Në vitet 1954-1958 mbaroi studimet e larta në Degën e Teorisë dhe të Pedago­gjisë Muzikore, në Akademinë e Muzikës të Beogradit. Pas diplo­mimit, në vitin 1958 kthehet në Prizren, ku deri në vitin 1968 në Shkollën e Mesme të Muzikës punon pedagog i lëndëve muzikore, në Shkollën Normale dhe në Gjimnazin e Prizrenit.

1968 u zgjodh profesor i lëndës Histori e muzikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Aty punoi deri në vitin 1975. Më 1975 u zgjodh ligjërues i lëndës Histori e muzikës. Pastaj mori titullin profesor inordinar dhe më vonë profesor ordinar i Universitetit.

Gjatë viteve 1974-1978 studioi në Fakultetin Filozofik - Dega për muzikologji në Lubjanë (Slloveni).

Studimet pasuniversitare i ndoqi në Akademinë e Muzikës - Dega për Histori të Muzikës dhe Muzikologji në Sarajevë. Aty magjistroi në fund të vitit 1980.

Ishte drejtor i Shkollës së Mesme të Muzikës në Prizren dhe drejtor i Gjimnazit; prodekan, dekan. Në Prizren ishte dirigjent i korit të SHKA "Agimi".

Ka mbajtur ligjërata e kumtesa në seminare e tryeza me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Ligjëroi në Tiranë në vitin 1979, në Shkup, më 1993, Sarajevë, Novi-Sad në vitin 1986, etj.

Ishte sekretar i Seksionit të Arteve dhe sekrertar i përgjithshëm i ASHAK-ut.

Vdiq në Prishtinë më 2015.

 

Bibliografia

Librat e botuar:

Kultura muzikore, për klasat I dhe II të gjimnazit, EMM, Prishtinë, 1989.

Kultura muzikore botërore dhe shqiptare, për shkolla të mesme, Libri Shkollor, Prishtinë, 1998.

Arti muzikor, për shkolla të mesme kl. 10,11,12, botues Libri Shkolla, Prishtinë, 2004, 2005, 2006.

Historia e muzikës I (dispensë), për studentë të muzikës, SHLP, Prishtinë, 1975. zhvillimi i stileve në veprat e kompozitorëve shqiptarë të Kosovës, Libri Shkollor, Prishtinë, 1997;

50 vjet të shoqërisë kulturo-artistike "Agimi" të Prizrenit (1944-1994) (me Kolë B. Shiroka, Prizren, 1997.

Studime dhe vështrime për muzikën, ASHAK, botime të veçanta LII, Libri 6, Prishtinë, 2004.

Punime për Fjalorin Enciklopedik të ri, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008.

Album me vepra për piano, zgjodhi dhe përgatiti për shtyp, botoi ASHAK, Prishtinë, 2009.

Si anëtar i Redaksisë së “Leksikon Jugoslovenske muzike”, botim i Jugoslovenska akademija znanosti i umjetnosti, Zagreb, 1984, ka shkruar 32 zëra për kulturën muzikore të Kosovës.

Ka botuar punimin për zhvillimin e muzikës artistike në Shqipëri me titull: Muzika u Albaniji, Zvuk, 1975, Sarajevë.

Në revistën muzikore Promusica, Beograd, nr. 34 dhe 66 të viteve 1968 dhe 1973 janë botuar dy punime: Prva muzi?ka skola na Kosovu dhe Horsko stvaralaštvo - a cappella na Kosovu.